Thaçi i zhgënjyer me BE

By on 19/06/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Sipas tij, turbulencat e brendshme në BE, e ka turbulluar vizionin e saj për Kosovën. E për këtë ne nuk jemi fajtorë dhe nuk paraqesim asnjë rrezik për BE-në.

Presidenti thotë se BE-ja po e trajton Kosovën ndryshe nga vendet e tjera, dhe këtë e ka quajtur padrejtësi.

Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, është shprehur ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës.

Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.

Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj.

Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale.

Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës.

Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit.

Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *