Komisioni Shtetëror i Maturës, fton Prokurorinë të hetojë të gjithë shkelësit në Testin e Maturës.

By on 13/06/2019

Fehmi Hyseni, kryetar i Komisionit Shtetëror të Maturës, ka ftuar Prokurorinë që të hetojë të gjithë shkelësit në Testin e Maturës.

Në një intervistë në KTV, Hyseni ka treguar se në ditën e parë të këtij testi 54 nxënësve u është ndaluar testi për shkak të shkeljeve. Ai ka thënë se asnjë nga shkelësit nuk do të falet, teksa ka shtuar se konsideron se organizimi i sivjetmë është më i miri ndonjëherë.

Duke folur për grupet e mëdha në Viber e Facebook ku po qarkullojnë testet, Hyseni ka thënë se janë duke i monitoruar të gjithë, teksa ka ftuar Prokurorinë dhe organet tjera të marrin masa të menjëhershme ndaj keqpërdoruesve.

“Është për të ardhur keq që janë hapur grupet në Viber e Facebook. Edhe ne jemi aty duke i monitoruar për të parë gjithçka. Ka më pak tash, por ftojmë organet të marrin masa ndaj keqpërdoruesve. Shteti duhet të ketë dhe ka njësitin për krime kibernetike. Duhet që policia t’i lehtësojë punët. Jo që ne të lajmërojmë një rast e të humben dy-tre orë me deklaratë. Kur të lajmërohet policia duhet menjëherë të nisë hapat. Dihen fytyrat e administruesve të grupeve, ka pas me emra e mbiemra, por tash kanë bërë me shenja. Grupi në Viber është krijuar në mënyrën më të sofistikuar sepse numrat nuk vërehen. Janë dy grupe, një 3700 e një 1500, jam anëtar e i shoh të gjithë. Nëse vërehet se dikush ka lëshuar fletën me përgjigje ne do të jemi aktivë”, ka thënë ai.

Sipas tij, prokuroria duhet ta marrë me prioritet Testin e Maturës sepse është në interes të shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *